UEFA nuk do të apelojë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që i dha Shqipërisë fitoren pas skandandalit të dhunës dhe racizimit në Serbi.
Konfirmimi erdhi për Agon Channel, nga zyra e shtypit të konfederatës europiane të futbollit.
Pyetjes nëse po mendon të apelojë vendimin e CAS të Lozanës për ndeshjen e 14 tetorit 2014, Serbi-Shqipëri, UEFA iu përgjigj: “I nderuar zotëri. Vendimi i dhënë nuk apelohet. Përshëndetje të përzemërta. UEFA, Media dhe Marrëdhënie me Publikun”.
Me këto pak fjali, institucioni i drejtuar nga Michel Platini pranon verdiktin e CAS dhe dorëzohet përpara Shqipërisë, që festoi fitoren në tavolinë. Një qëndrim që i jep fund të gjitha spekulimeve.
Menjëherë pasi paneli i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv u shpreh, në qëndrimin zyrtar, ku e cilësoi “vendim politik”, një “turp për drejtësinë” dhe “skandal për futbollin europian dhe botëror”, federata serbe njoftoi se po shqyrtonte hapat që do të ndiqte. Aty përfshihej një kërkesë për UEFA-n, që të mbështeste apelimin e serbëve në Gjykatën Federale të Zvicrës.
Përgjigja zyrtare e dhënë për Agon Channel, shërben edhe si përgjigje për autoritetet në Beograd. Në korrespondencën e mëparshme, UEFA sqaroi edhe ndryshimet çoroditëse në renditjen e Grupit I të Euro 2016.
“Bëhej fjalë thjesht për një problem teknik, klasifikimi është korrigjuar”, citohej në reagimin e zyrave të Nionit, duke nisur edhe linkun, ku Shqipëria e sheh veten në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Danimarkën, por e penalizuar nga barazimi 1-1 në Elbasan. Ndërkohë, Serbia është e fundit, me -2 pikë.
Kjo është renditja finale, e pranuar edhe nga Federata Shqiptare, që bazohet në nenin 13, ku sqarohet pozicionimi i skuadrave me pikë të barabarta. Zyrtarët në Nion mbështeten në pikën d, të sistemit të turneut për kualifikimin kur skuadrat kanë pikë të barabarta. Aty theksohet se renditja përcaktohet nga “Numri më i lartë i golave të shënuar në fushë kundërshtare në ndeshjet mes tyre”.
Një pikë që lë hapësira për interpretim, sepse teorikisht ajo hyn në fuqi vetëm për renditjen finale, pasi nuk mund të japë një qëndrim të drejtë për aq kohë kur skuadrat kanë luajtur vetëm një ndeshje. Është pikërisht me këtë nen që UEFA e lë Shqipërinë të tretën në grup, edhe pse për momentin Kombëtarja është në zonën e klasifikimit direkt, si e treta më e mirë e kualifikueseve.
No Comment to " UEFA pranon vendimin e KAS-it, nuk do apelojë "