
Sipas medias zvicerane, konkretisht “fussballinfos.ch”, skuadra e njohur gjermane ka bërë një ofertë prej 8 milionë eurosh për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashin. Megjithë rekrutimin e Franco Di Santos, Shalke do ta përforcojë më shumë repartin ofensiv. Klubi gjerman nuk po dorëzohet, përkundrazi, i ka shtuar përpjekjet për ta bërë të vetin Shkëlzen Gashin (26 vjeç).
8 milionë euro janë vendosur në tavolinë të bisedimeve me Bazelin për të marrë shërbimet e sulmuesit, ndërkohë që po reziston klubi kampion i Zvicrës, që deri më tani nuk ka dhënë shenja se do të privohet nga ylli i tij. Sikurse dihet, Shkëlzen Gashi ka kontratë me kampionët zviceranë deri në vitin 2018. Ai iu bashkua një vit më parë Bazelit, me të cilin doli shënuesi më i mirë dhe fitoi titullin kampion në shtetin helvet. Edhe kampionatin e ri zviceran, që ka luajtur dy javët e para, e ka nisur me gol sulmuesi shqiptar.
Konkretisht, dje, në ndeshjen ndaj Grasshopersit, në fushën e këtij të fundit, Gashi realizoi golin e zhbllokimit të rezultatit nga një goditje dënimi, ndërsa Bazeli fitoi 3-2. Kampionatin e kaluar, Shkëlzen Gashi e mbylli si golashënuesi më i mirë në Zvicër, ndërkohë që shënoi plot 22 gola. Një edicion më parë, si pjesë e Grasshopersit, lojtari i kombëtares shqiptare do të regjistronte 19 gola të shënuar. Pra, nga viti në vit, Shkëlzen Gashi është kthyer në një “makineri golash”, edhe pse nuk luan si sulmues i mirëfilltë. /telesport.al/
No Comment to " Shalke kërkon Gashin, gati 8 milion € për Bazelin "